Shkodranë me shumicë në Itali, shkodranë në Greqi, shkodranë në Gjermani, Angli e kudo. Së fundi edhe në Irlandë. E kemi fjalën për futbollistë të rinj të cilët kanë nisur të spikasin në vendet ku kanë lindur dhe tashmë po merren me futboll.
Madje së fundi janë angazhuar edhe me kombëtaret e atyre vendeve dhe rasti më i fundit është ai i dy futbollistëve shkodranë që janë thirrur nga Kombëtarja U15 e Irlandës dhe kanë nisur të luajnë për të. Bëhet fjalë për Kevin Zefin dhe Justin Ferizajn të cilët vetëm pak ditë më parë kanë qenë pjesë e Irlanda U15 në “Uefa Development Tournament” që u zhvillua në datat 17-21 tetor.
Madje Zefi ka qenë edhe autori i golit të tretë për këtë kombëtare në ndeshjen ndaj Luksemburgut dhe po ashtu ka qenë protagonist edhe në disa gola të tjerë për ekipin e tij që i fitoi të tre takimet ndaj Lituanisë, Islanda Faroes dhe Luksemburgut. Po kush janë këto futbollistë?
Justin Ferizaj (Puka) ka lindur në Irlandë më 13 janar të vitit 2005 dhe luan në pozicionin e organizatorit, por shpeshherë e vendosin edhe në vende të tjera në fushë, duke luajtur si në të majtë ashtu edhe në të djathtë pasi dallohet për një përdorim të shkëlqyer të topit me të dyja këmbët.
I dyti, Kevin Zefi (Gjini) edhe ai ka lindur në Irlandë më 11 shkurt të vitit 2005 dhe luan në mesfushë, si në të majtë ashtu edhe në të djathtë, ndërsa me ekipin aktual të tij luan edhe si sulmues sepse është shumë i shpejtë dhe i fuqishëm.
Të dy këta lojtarë janë pjesë e Akademisë së njëri prej klubeve më të njohura në Irlandë, pikërisht Shamrock Rovers.Duke spikatur me ekipet e moshave të kësaj Akademie, padyshim që kanë marrë edhe vëmendjen e duhur të stafit të ekipeve kombëtare të Irlandës të cilët i kanë bërë pjesë të ekipit U15 dhe konsiderohen pjesë e rëndësishme e saj.
Fakti që menjëherë janë në formacion të kësaj kombëtareje e tregon më së miri për talentin që ato posedojnë. Të pyetur nëse kanë marrë ndonjë ftesë nga Shqipëria, babai i njërit prej tyre, pikërisht ai i Justinit, shprehet shkurt: “Për momentin jemi të lumtur që djemtë tanë janë pjesë e kombëtares U15 të Irlandës”.
Kjo do të thotë se gjithçka është e hapur dhe nëse stafi i ekipeve kombëtare shqiptare tregon interesim për ta, në të ardhmen edhe mund të veshin fanellën kuqezi.
E rëndësishme është që tashmë futbollistët e rinj shkodranë dhe shqiptarë po “pushtojnë” botën dhe padyshim që ky është një lajm jashtëzakonisht i mirë. Rasti i Justinit dhe Kevinit flet më së miri për këtë gjë teksa kanë arritur që falë talentit të tyre të luajnë për Irlandën.
Gjergj KOLA