Dy lojtarë kanë shfaqur probleme ditët e fundit dhe për rrjedhojë ende nuk është e sigurtë nëse do të jenë në gjendje për të luajtur apo jo.Bëhet fjalë për maqedonasin Gligorov që ndonëse luajti ndaj Skënderbeut, duket se e shqetëson sërish problemi që ka me kaviljen.
E njëjta situatë edhe me brazilianin Emerson. Luajti ndaj Burrelit për kupë, por gjuri vazhdon t’i krijojë shqetësime. Stafi mjekësor po merret me ta, megjithatë akoma nuk është e sigurtë nëse do të luajnë apo jo.
Këtë e ka konfirmuar vetë klubi shkodran përmes një lajmi të shpërndarë në lidhje me përgatitjet e skuadrës për sfidën e rradhës me Kukësin ku shkruhet:
“Që prej pasdites të së enjtes ekipi i Vllaznisë i është rikthyer përgatitjeve për ndeshjen e rradhës, atë që do të luajë ditën e dielë në orën 17.00 në “Elbasan Arena” ndaj Kukësit. Stafi teknik ka në dispozicion të 25 lojtarët dhe për momentin fokusi është i përqendruar tek ndërtimi i strategjisë për të kaluar me sukses këtë takim të vështirë.
Shqetësim mbetet gjendja e Gligorov apo dhe Emerson që kanë ende probleme të vogla me dëmtimet e tyre megjithatë stafi mjekësor po i kushton rëndësinë e duhur duke shpresuar që gjithçka të jetë në rregull dhe të dy këta lojtarë të jenë të gatshëm për të luajtur. Në rradhët e futbollistëve dhe stafit, ka besim se ndaj Kukësit nuk do të dalin pa pikë”.