Kategoria Superiore mbylli ditën e sotme javën e 10-të të saj. Vllaznia kryesuese arriti të fitonte minimalisht 0-1 ndaj Apolonisë, Teuta dhe Laçi morën 3 pikët e radhës ndaj Skënderbeut dhe Bylisit, ndërsa supersfida Kukës-Tirana u mbyll në barazim 0-0. Te fitorja u rikthye edhe Partizanit që pas disa barazimeve, mposhti në shtëpi Kastriotin me rezultatin e pastër 2-0. Newsport.al ju sjell formacionin më të mirë të kësaj jave si dhe trajnerin fitues, ne te cilin bejne pjese edhe dy futbolliste te Vllaznise, mbrojtesi Mevlan Adili dhe sulmuesi Ardit Hoxhaj qe ishte edhe autori i golit te fitores ndaj Apolonise.
Visar Bekaj: Nëse Tirana merr një barazim pa gola ndaj Kukësit, është padyshim merita e portierit Bekaj. Në ato pak aksione të rrezikshme të Kukësit është i pakalueshëm. Bën një pritje ndaj Ibraimit duke shpëtuar bardheblutë nga një gol i sigurtë. Del me vonesë te goli i Ezes, por është me fat pasi gjyqtari anësor akordon pozicion jashtë loje. Një nga blerjet e pakëta të goditura të Tiranës në merkaton e verës.
Rron Broja: Ditën e sotme, Broja luan në një rol të ri në fushë. Te Partizani kishin vendosur që ai të luante si mbrojtës qendre në mungesë të Belicës që nuk ishte në gjendjen e duhur fizike. Broja nuk zhgënjen dhe bën një paraqitje fantastike duke bllokuar çdo aksion të Kastriotit që nuk bën pothuajse asnjë gjuajte drejt portës së Alban Hoxhës.
Altin Bytyçi: Është vetëm 19 vjeç, por jep një siguri të madhe në repartin e mbrojtjes. “Anullon” në çdo dyluftim Muçin, aq sa e detyron që të pozicionohet në krahun tjetër të fushës. Një mur i vërtetë për Kukësin dhe që shumë shpejt ka fituar besimin e trajnerit Gega, por edhe një vend titullari te Kukësi.
Mevlan Adili: Vllaznia vazhdon të shkëlqejë dhe të ruajë kryesimin e Superligës. Adili ishte sërish një nga më të mirët për shkodranët. Apolonia provon disa herë të rrezikojë portën e Vllaznisë, por mbrojtësi është gjithmonë i saktë me ndërhyrjet e tij.
Regi Lushkja: Regjizori i mesfushës së Laçit nga ndeshja në ndeshje po fillon të kapi formën e tij më të mirë. Shënon një gol të rëndësishëm ndaj Bylisit duke i dhënë qetësinë e avantazhit 2-0, Laçit. Në mesfushë fiton pothuajse çdo dyluftim me kundërshtarët e tij dhe çdo aksioni i Laçit kalon nga këmbët e tij.
Tedi Cara: Ishte padyshim njeriu që ndryshoi ndeshjen ndaj Kastriotit. Futet në fushë me vendosmërinë e duhur, shënon golin e parë të ndeshjes e gjithashtu fiton penalltinë e kthyer në gol nga Asani. Një nga ndeshjet e tij më të mira me fanellën e Partizanit, por në kampin e kuq presin edhe më shumë nga ai duke parë që talenti nuk i mungon.
Dejvi Bregu: Fiton penalltinë e parë ndaj Skënderbeut dhe më pas e kthen po vetë në gol. Forma e tij po vjen në rritje pas çdo ndeshje dhe vlonajti po tregon atë që di të bëjë më mirë. I rrezikshëm me daljet e tij e gjithashtu vrapon pa fund. Me fitoren e dytë radhazi, Teuta dhe Bregu kanë gjetur qetësinë e munguar.
Ardit Hoxhaj: Vllaznia merr një fitore të rëndësishme 0-1 në transfertë ndaj Apolonisë. Një ndeshje jo e lehtë për shkodranët, por që u zgjidh nga Hoxhaj që me kokë mposhti portierin Harizaj. Sulmuesi vlonjat ka gjetur formën e tij më të mirë, vendin në formacion e sot ishte një rrezik konstant për mbrojtjen fierake.
Jasir Asani: Më fund një ndeshje nga ato që jemi mësuar të shikojmë nga Jasir Asani. Pas shumë kritikave ndaj tij, sulmuesi kundërpërgjigjet në fushë duke shënuar golin e dytë për Partizanin, por edhe duke bërë një ndeshje mjaft të mirë. Fut gjithmonë në panik mbrojtjen e Kastriotit, jep një assist për golin e parë, ndërsa qershia mbi tortë për të përmbyllur ndeshjen ishte goli me panenka nga penalltia.
Redon Xhixha: Goli i dytë radhazi në kampionat, Xhixha rikthehet të jetë protagonist me Laçin, ashtu si në sezonin e kaluar. Gjendet në momentin e duhur te pasimi i Harmon dhe e dërgon topin në rrjetë duke zhbllokuar ndeshjen ndaj Bylisit. Me ardhjen e Duros në stol, duket se edhe Xhixha ka gjetur formën e tij më të mirë.
Blerim Krasniqi: Pas shumë rasteve të humbura, më fund gjen golin e këtë herë vjen me dopietë duke u zhbllokuar. Ndaj Skënderbeu bën një nga ndeshjet më të mira me fanellën e Teutës dhe me dy golat e tij i jep fitoren e dytë radhazi skuadrës durrsake. Te Teuta shpresojnë që sulmuesi të mos ndalet më duke parë që cilësitë nuk i mungojnë aspak, por edhe që ngërçi psikologjik të ketë kaluar me dy golat e sotëm.
Stafi i Partizanit: Në mungesë të trajnerit Ilir Daja, në stolin e Partizanit, ndodhen 3 ndihmësat e tij, Pollozhani, Kalari dhe Bozhiqi që drejtojnë skuadrën në fitoren 2-0 ndaj Kastriotit. Pas disa ndeshjeve pa shënuar dhe pa fitore, të kuqtë rikthehen te marrin 3 pikë, por gjithashtu bindin edhe me lojë. Padyshim një meritë të madhe ka edhe stafi që drejtoi këtë ndeshje, por gjithashtu edhe stërvitjen gjatë këtyre ditëve në mungesë të trajnerit Daja.