Abissnet Superiore ka mbyllur javën e 15-të të saj, e cila ishte edhe e fundit për këtë vit. Kështu, “Panorama Sport” ka publikuar edhe formacionin më të mirë të kësaj jave.
Në formacionin më të mirë, dy futbollistë janë edhe nga Vllaznia. Fjala është për Esat Malën dhe sulmuesin brazilian, Kaina. Ndërkohë, një vlerësim për javën që lamë pas meriton edhe trajneri i Vllaznisë, Mirel Josa.
Esat Mala ishte vendimtar me dy penallti të fituara prej tij. Drejtuesit e shkodranëve dhe kryesisht presidenti Alban Xhaferi duhet të jenë të lumtur për afrimin e tij në merkato, teksa Mala i jep një tjetër sprint sulmit të Vllaznisë. Edhe pse nuk arriti të shënojë, ai fitoi dy penallti, teksa mesfushori anësor tregon se është pikë e fortë.
Ndërkohë, nëse Mala fitoi dy penallti, Kaina shënoi dopietë në fitoren e Vllaznisë. Në fakt, me golat e shënuar ndaj Teutës, ai vendos një kandidaturë të fortë për të qenë në 11-shen e parë të trajnerit Josa. Realisht, sulmuesi brazilian u rikthye të ishte njeriu i ndeshjeve, ashtu siç bëri edhe në takimin e fazës së parë ndaj Tiranës në “Selman Stërmasi”. Padyshim, Josa duhet të ketë “dhimbje koke” për t’i gjetur vend Kainës.
Sa i takon trajnerit kryeqytetas të Vllaznisë, në ndeshjen ndaj Teutës, ai diti të ekuilibrojë një grup me shumë cilësi dhe të marrë me të mirën prej futbollistëve. Me skemën 4-3-3, por edhe me zëvendësimet gjatë lojës, Josa më së shumti po mundohet të përcjellë në ekip qetësinë që e karakterizon, për të sjellë ndoshta edhe kreun më pas për kuqeblutë.
Maringlen ZHIVANI