Ndonëse ndodhej në avantazh të dy golave deri në minutën e 82-të, Tërbuni nuk ia ka arritur të dalë me fitore nga stadiumi i Librazhdit në ndeshjen e rradhës për kampionat. Kjo ngaqë vendasit e Sopotit në minutat e fundit kanë shënuar dy gola njëri pas tjetrit dhe si rrjedhojë, i gjithë takimi është mbyllur në barazim 2-2.
Ka qenë një takim me shumë emocione dhe të papritura. Ka qenë sulmuesi shkodran i pukjanëve Vildan Kaçubela ai që ka zhbllokuar rezultatin që në minutën e 10-të të tij dhe me këtë gol do të mbyllej pjesa e parë.
Në të dytën do të ishte sërish Kaçubela që në minutën e 78-të do të shënonte edhe golin e tij të dytë duke krijuar bindjen se Tërbuni do ta fitonte këtë ndeshje me një avantazh të tillë vetëm pak minuta para fundit të saj. Por në realitet nuk do të ndodhte kështu.
Kjo sepse në minutën e 83-të librazhdasit do të ngushtonin shifrat me anë të futbollistit Spahiu. Me këtë gol, ata “do të merrnin zemër” dhe në minutën e 87-të do të ishte Mirel Çota që do të barazonte rezultatin dhe në këtë mënyrë i gjithë takimi do të mbyllej në shifrat e barabarta 2-2.
Me nga një pikë të marrë në këtë përballje, dy ekipet ruajnë të njëjtat pozita në renditje. Sopoti ka shkuar në kuotën e 17 pikëve dhe mban vendin e katërt, ndërsa Tërbuni me 15 pikë është i pesti./SHKODRA-SPORT.COM/