Dy gola në portën e grekëve dhe i jep fitore me përmbysje Atalantës në Ligën e Europës.

Berat Gjimshiti nuk mund ta festonte më bukur ditën e Pavarësisë së Kosovës, teksa dje në mbrëmje u bë heroi i bergamaskëve, duke shënuar pas dy goditjeve nga këndi, për të qenë njeriu i ndeshjes në triumfin 2-1 me përmbysje ndaj Olimpiakosit.

Djaloshi me origjinë nga Presheva (Kosova lindore), por i lindur në Zyrih të Zvicrës, tregoi edhe një herë se sa i rëndësishëm është për Atalantën.

Një përmbysje e çmendur dhe për më tepër me dopietën e lojtarit kuqezi, duke shtuar shanset e Atalantës për t’u kualifikuar në turin tjetër të Ligës së Europës. Ndeshja e kthimit do të luhet më 24 shkurt në Athinë.

Paraqitja e lojtarit shqiptar ishte për t’u duartrokitur dhe vlerësimet nuk munguan. Gjimshiti është renditur përkrahë më të mirëve të javës në Ligën e Europës! “Sofascore“ e ka vlerësuar me notën 8.6, më e larta së bashku me Martinezin në majën e sulmit.