Janë miq të mirë jashtë fushe, por kundërshtarë të fortë brenda saj. Edi Martini dhe Thomas Brdariç njihen prej vitesh me njëri- tjetrin dhe kanë raporte shumë të mira por ndërkohë sivjet u është dashur të përballen dy herë si kundërshtarë.

I pari duke drejtuar Teutën ndërsa i dyti, ish- skuadrën e të parit, Vllazninë. Dhe interesante është fakti se nga këto dy përballje, gjermano- kroati ka marrë 4 pikë me një fitore dhe 1 barazim, ndërsa trajneri shkodran vetëm 1 pikë.

Por përpos kësaj, duhet thënë se Martini nuk ka arritur ta mundë edhe Brdariç edhe pse skuadra e këtij të fundit në të dy rastet luajti për shumë minuta me 10 futbollistë.

Në ndeshjen e fazës së parë në Durrës, Vllaznia mbeti me një lojtar më pak në fushë sepse Isaevski u largua me të kuqe në minutën e 69-të, megjithatë Teuta pavarësisht presionit që bëri nuk ia doli të shënonte dhe ta fitonte ndeshjen.

Edhe në ndeshjen e së premtes, gati krejtësisht e ngjashme situata sepse këtë herë ishte Ardit Hoxhaj që u ndëshkua me të kuqe në minutën e 68-të, megjithatë Vllaznia arriti ta mbronte avantazhin e krijuar pikërisht prej golit të shënuar nga ky lojtar.

Pra, ndonëse Teuta në të dy ndeshjet ka luajtur për gati 50 minuta (bashkë me shtesat) me një lojtar më shumë sesa Vllaznia, nuk ia doli t’i shënonte gol.

Brdariç në këtë mënyrë dy herë ia doli ta sfidonte Martinin, për rrjedhojë këtij të fundit do t’i duhet të presë ndeshjen e tretë, për ta provuar sërish. Ndoshta duke shpresuar sërish në një tjetër karton të kuq për futbollistët e Vllaznisë./SHKODRA-SPORT.COM/