Paraditen e sotme ka nisur në Shkodër një seminar shumë interesant me trajnerët e moshave të të gjithë ekipeve të qytetit tonë. I organizuar në ambjentet e stadiumit “Loro Boriçi” nga Klubi i Futbollit Vllaznia në bashkëpunim me “Albanian Ajaks School”, ky seminar pritet të sjellë shumë risi. për më tepër që në rolin e lektorëve janë dy trajnerëve hollandezë që punojnë në Akademitë e njohura të Ajaksit dhe Alkmarit pikërisht Sander de Goede dhe Rory Roubos të cilët po sjellin përvojën e këtij futbolli dhe mënyrën si mund të adoptohet në vendin tonë. Organizatorët në prononcimin e tyre janë shprehur se një seminar i tillë dhe shkëmbimi i përvojës me trajnerët hollandezë, është diçka që ka për t’u vlejtur shumë edhe trajnerëve shkodranë.

“Këto janë përvojë të cilat besoj se do t’i vlejnë të gjithë trajnerëve të 11 klubeve pjesmarrëse në këtë seminar. Shkëmbimi i eksperiencave dhe i kulturave sportive, gjithmonë shërben për mirë dhe besoj se nga ky seminar të gjithë pjesmarrësit kanë për të dalë me më shumë njohuri të përvetësuara për profesionin tonë”- ka thënë Eugent Zeka, drejtori sportiv i KF Vllaznia. Ndërkohë, presidenti i “Albania Ajax School” Arben Haveri ka thënë se ky është vetëm fillimi i këtij bashkëpunimi prandaj është shprehur: “Ky seminar treditor që ka nisur sot, organizohet nga Akademia jonë në bashkëpunim me Klubin e Futbollit Vllaznia dhe ka gjetur mbështetjen e Amabasadës Hollandeze në Tiranë dhe të Bashkisë Shkodër. Qëllimi i këtij trajnimi është që t’i japim mundësi të gjithë trajnerëve të moshave në Shkodër të lidhen me kulturën hollandeze të trajnimit. Ky seminar besoj se është vetëm fillimi sepse do të kemi edhe të tjerë prapa. Trajnerët shkodranë kanë se çfarë të mësojnë por edhe të japin eksperiencën e akumuluar prej tyre në këtë fushë prej vitesh”.Ditën e mërkurë, seminari do të vazhdojë përveçse me teori, edhe me praktikë sepse trajnerët hollandezë do ndjekin disa ndeshje të moshave e në këtë ditë, bashkë me ta do të bashkohet edhe ambasadorja e Hollandës në vendin tonë, bashkë me kryebashkiaken e Shkodrës, Voltana Ademi. Seminari do të përfundojë ditën e enjte ndërkohë që drejtues të klubit Vllaznia bëjnë të ditur se në një të ardhme të afërt do të ketë një seminar të tillë edhe me trajnerë italianë dhe e gjitha kjo bëhet në kuadër të futjes së gjërave të reja në punën me Akademinë e cila ka qenë model prej vitesh në Shqipëri por pse jo, do të tentohet të bëhet edhe më e mirë, falë marrjes së eksperiencave të tilla.
© shkodrasport.com