Ka patur zhvillime interesante tek skuadra matjane. Trajneri Dorian Bubeqi nuk do të jetë më trajneri i saj. Një fakt të tillë e bën të ditur për gazetën “Shkodra Sport” vetë trajneri kavajas kur thote: “Kam dhënë dorëheqjen nga drejtimi i skuadrës. Ky është zanati ynë. Siç ka një fillm ka dhe një fund. Ishte një bashkëpunim i mirë me drejtuesit matjan. Me këtë rast dua të falederoj kryetarin e bashkisë Z. Agron Malaj, që ka qenë mbështetja ime dhe e skuadrës.

Në periudhën që drejtova skuadrën matjane, kishim si objektiv të ishim në mesin e artë të renditjes. Ishim pranë realizimit të këtij objketivi, por nuk mundëm ta bënim realitet një gjë të tllë”- shprehet për gazetën Dorian Bubeqi.

Tashmë drejtuesit e klubit matjan, janë vënë në kërkim të gjetjes së trajnerit që do të marrë fatet e skuadrës në ndeshjet në vazhdim. Duke folur rreth këtij fakti, në cilësinë e administratorit të klubit, Marjan Lleshaj, mes të tjerash shton se:

“Pas dorëheqjes së trajnerit, jemi vënë në kërkim të gjetjes të trajnerit të ri që do të marrë fatet e skuadrës për ndeshjet në vazhdim. Për momentin janë dy kandidatura, njëri nga këto ka qenë zv-trajner me një nga skuadrat e superiores. Emërimi i trajnerit të ri është emergjent pasi ndeshjet e kampionatit janë afër dhe në bazë të kalendarit do të presim Bylisin në fushën tonë, tashmë për llogaritë e fazës së dytë”- shprehet kreu i klubit matjan.

Deri në emërimin e trajnerit të ri, sipas administratorit Lleshaj, skuadra do të drejtohet nga zëvendëstrajneri, Renato Hoti. Seanca e ditës së sotme shënoi dhe fillimin e procesit stërvitor për ndeshjen e rradhës kundër Bylisit, në Burrel
Nderim GOCI