Erald Çinari nderoi Vllazninë ndaj Tër bunit. Falë golit të tij, shkodranët nuk dolën të humbur në këtë miqësore të dytë dhe të fundit para Kukësit. Mesfushori e pranon se skuadra shpërdoron, megjithatë thekson se me ardhjen e Sukajt, “shënjestra” do të ndreqet. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, 21-vjeçari shprehet optimist për të ardhmen e kuqebluve, madje thekson se situata nuk do t’i ngjajë aspak fundit të sezonit të kaluar.

I riu ka qenë një ndër lojtarët më të lakuar në këtë merkato, ndërsa Partizani dhe disa klube të tjera u vendosën në “gjurmët” e mëngjarashit. Por jo vetëm ekipet shqiptare, pasi rishtas edhe dy klube kroate janë vënë pas tij. Mësohet se Çinarin e kanë ndjekur nga shkallët e stadiumit drejtori sportiv i klubit të Goricës (që militon në ligën e dytë kroate dhe renditet e dyta) dhe menaxheri i klubit të Rudes (që renditen në vendin e 10-të të Superligës kroate).

Pas mbylljes së minifazës, a ka ndryshuar diçka te Vllaznia?

Mund të them se situata është shumë e mirë dhe premtuese. Nuk mund të them që ka ndryshuar diçka, por më gëzon vetëm fakti që jemi mirë në anën shëndetësore. Për fat nuk kemi pësuar asnjë dëmtim gjatë minifazës, përveç Gocajt që ishte që në fundin e vitit 2017. Pjesa tjetër është “OK” dhe në formën e duhur.

Vazhdoni të shpërdoroni në sulm, madje edhe trajneri Gjoka ju kritikoi pas ndeshjes me Tërbunin…

Është e vërtetë që kemi humbur shumë raste ndaj Tërbunit, por disa prej u “bllokuan” edhe falë aftësive të portierit Rexhepi. Gjithsesi, me aq mundësi sa kishim, duhet të shënonim edhe më shumë. Një gjë të tillë e kemi vuajtur edhe në pjesën e parë të sezonit. Shpresoj që falë edhe dyshes sulmuese që kemi në ekip ta ndreqim “shënjestrën”.

Janë bërë 4 afrime, mendoni se është gati ekipi për të rifilluar sezonin?

Janë afrimet e kërkuara nga vetë trajneri. Ai e di më mirë ku edhe ka pasur nevojë skuadra për përforcime. Unë mund të them se janë lojtarë të mirë, pasi janë sinkronizuar shpejt me pjesën tjetër të grupit.

Cilësitë e Sukajt njihen tashmë dhe jam i bindur që do të na ndihmojë që të kalojmë këtë situatë që po kalojmë. Të njëjtën gjë mund të them edhe për mbrojtësit, ndaj mendoj se të gjithë së bashku do të japim maksimumin për Vllazninë.

Çfarë prisni prej Vllaznisë nga 2018-ta e tutje?

Mund të them se edhe me afrimet e bëra, skuadra ka një tjetër fytyrë. Ka konkurrencë në të gjitha repartet dhe mbi të gjitha ka më shumë optimizëm. E rëndësishme është që të fillojmë mirë vitin dhe të kalojmë këtë krizë momentale, në të cilën gjendemi. Nuk jemi mirë në renditje, por nuk mendoj se do të vuajmë si vjet deri në takimin e fundit.

Keni një përballje të fortë këtë javë ndaj Kukësit. Si e mendoni fundin e këtij takimi?

Shpresoj që ta fillojmë këtë vit me këmbë të mbarë. Ekipi ndihet mirë në këtë periudhë e, nisur nga kjo, shpresoj që ta nisim me fitore. Kemi një kundërshtar të fortë përballë. Kukësi është një ndër ekipet elitare të këtij sezoni, por kjo nuk duhet të na trembë, por të na motivojë që të arrijmë maksimumin. Mendoj se nuk duhet të kemi asnjë alternativë tjetër veç fitores. Kam besim se do t’ia dalim.

Drejtues dhe menaxherë të huaj ju kanë vëzhguar sërish ndaj Tërbunit. Mund të kemi ndonjë lëvizje surprizë të Çinarit deri në fund të kësaj merkatoje?

Unë nuk di gjë për ato që po më vëzhgojnë. Nuk kam asgjë konkrete deri tani në këtë drejtim. Jam pjesë e Vllaznisë dhe po punoj me këtë ekip për të marrë maksimumin në takimin ndaj Kukësit. Këtu jam i përqendruar momentalisht. Nëse do të ketë lëvizje të tjera, atëherë do të shikojmë edhe ecurinë e mëtejshme.