“Mendoj se është një gjë ekstreme të shohësh sesa i varur është Bayern nga Musiala, sidomos kundër skuadrave të forta. Nëse sheh ndeshjen me Dortmundin, kupton sesa shumë punë u bë nga verdhezinjtë për të neutralizuar Musialën”.

Kështu u shpreh së fundmi Toni Kroos për atë që ai e konsideron si pikën e dobët të Bayern, klubi më i madh në Gjermani, ku më parë ka luajtur për disa vite, duke u afirmuar si ndër më të mirët në botë.

“Bayern nuk ka një lojtar tjetër kaq krijues sa Musiala. Ai është më i rëndësishëm se Harry Kane. Anglezi e ka shumë më të vështirë të shënojë, nëse pas tij nuk luan Jamal”, shtoi Kroos.

Një tjetër legjendë e Bayern dhe futbollit gjerman, Lothar Matthaus, mendon ndryshe. Ai ka replikuar në distancë me Kroos duke dhënë një variant tjetër.

“Bayern nuk varet vetëm nga Musiala. Bayern varet edhe nga Harry Kane dhe Joshua Kimmich. Kur Kimmich luan në mesfushë, ka ndikim direkt në gjithë repartin ofensiv të Bayern. Kur mungon Kane, Bayern duket pa busull”./telesport/