Të shtunën, Tirana do të luajë kundër Vllaznisë në kuadër të javës së 12-të të Superiores. Bardheblutë do të vuajnë në këtë sfidë mungesën e Agustin Torasës dhe Erion Hoxhallarit të pezulluar për shkak kartonësh. Megjithatë për trajnerin Jul Ahmataj ka vend për qetësi pasi mësohet se infermieria bardheblu është boshatisur.

Në klasiken e Shqipërisë, do të jenë të gatshëm për ta nisur nga minuta e parë, Edon Hasani dhe Dorian Kërçiku i rikuperuar. Gjithashtu edhe Eni Imami, me gjasë do të preferohet që prej fillimi. Kësisoj për teknikun 40-vjeçar nuk ka vend për panik, pasi organika bardheblu i ka të gjitha pozicionet e dubluara.

Kujtojmë që Tirana vjen në këtë sfidë pas barazimit 1-1 me Teutën, ndërsa Vllaznia pas humbjes 0-1 kundër Bylis. Bardheblutë renditen në vendin e dytë me 18 pikë, 3 më pak se Partizani kryesues. Ndërsa Vllaznia në vendin e shtatë me 15 pikë./newsport/