Pas fitores me Egnatian, në debutimin e tij në stolin kuqeblu, trajneri Tomas Brdariç do të kërkojë një tjetër sukses të shtunën kundër Dinamos. Ato 3 pikë të marra në Rrogozhinë, ndaj një kundërshtari si Egnatia, kanë rritur moralin te Vllaznia, që synon të ruajë deri në fund vendin e dytë, pse jo dhe të përfitojë nga ndonjë gabim i mundshëm i kryesuesve të renditjes.

STOJANOVIÇ-KRYMI – Atmosfera në kampin kuqeblu ka qenë shumë e mirë, por humori i stafit teknik është prishur disi dy ditë para ndeshjes me Dinamon, sepse kanë shfaqur probleme dy lojtarë titullarë të skuadrës shkodrane. Mbrojtësi i qendrës, Milosh Stojanoviç, ka shfaqur sërish probleme fizike dhe gjasat janë që të mos jetë i gatshëm këtë fundjavë.

Ai e nisi nga stoli edhe ndeshjen me Egnatian, ku u aktivizua në pjesën e dytë. Lojtari serb ka pësuar një tërheqje, që ka vënë në dyshim serioz përfshirjen e tij në ndeshjen e së shtunës.

Edhe Krymi ka probleme muskulore, por dëmtimi i tij është më i lehtë. Në kampin shkodran ka besim se mesfushori i qendrës nuk do të mungojë kundër Dinamos, por një ide më e qartë do të krijohet sot, kur do të zhvillohet edhe seanca e fundit stërvitore.