Ditën e shtunë është zhvilluar në Kroaci një turne ndërkombëtar i moshave në sportin e xhudos. Bëhet fjalë për edicionin e 13-të të këtij turneu që mban emrin “Mario Zebiç”. Krahas sportistëve nga shumë vende të Europës dhe Botës, në këtë aktivitet shumë të rëndësishëm kanë marrë pjesë edhe dy sportistë nga Shqipëria, më konkretisht dy sportistë të Vllaznisë, Reoland Vasia dhe Xhovan Shkoza. Përveç tyre kanë qenë edhe dy sportistë të klubit Prishtina të Kosovës, Dardan Cena dhe Arben Cena. E veçanta e pjesmarrjes së xhudistëve shqiptarë dhe kosovarë në këtë turne ka qenë fakti se ata kanë patur një trajner të përbashkët, kampionin e botës në këtë sport- Anton Cenën.
Paraqitja e dy xhudistëve të Vllaznisë ka qenë shumë e mirë dhe nga sa merret vesh, Reoland Vasia, duke konkurruar në peshën 42 kg për moshën 13 vjeç, ka sfiduar të gjithë kundërshtarët e tij dhe ka zënë vendin e parë duke marrë medalje të artë. Paraqitje të mirë ka bërë edhe Xhovan Shkoza që për peshën 60 kg, të moshës 14 vjeç, ka zënë vendin e tretë dhe ka merituar medaljen e bronztë. Edhe sportistët kosovarë kanë patur këtë ecuri teksa Dardan Cena në peshën 28 kg ka zënë vendin e parë ndërsa Arben Cena në peshën 55 kg është renditur i treti. Në këtë mënyrë, paraqitja e xhudistëve tanë në këtë turne të rëndësishëm ndërkombëtar të moshave, mund të konsiderohet shumë pozitive. Të konkurosh me sportistët e Rajonit tonë por edhe nga vende të tjera të Europës dhe botës sigurisht që nuk është e lehtë megjithatë Vasia e Shkoza ia kanë dalë të përballen si të barabartë madje dhe të triumfojnë ndaj tyre.
Gjergj Kola