Vllaznia nuk po kalon një moment të mirë në kampionat, ku prej 3 javësh nuk e njeh fitoren. Rezultate këto që i kanë zbitur kuqeblutë në vendin e 8-të në tabelën e renditjes.
Sfida e radhës për shkoadranët është ndaj Laçit në “Loro Boriçi”, takim që do të luhet ditën e nesërme duke nisur që nga ora 17:00. Një duel ku fitorja është detyrim, por për vendasit nuk do të jetë aspak e lehtë.
Qatip Osmani do të ketë dy mungesa të rëndësishme ndaj kurbinasve. Bekim Balaj dhe Esat Mala nuk do të mund të japin kontributin e tyre në këtë përballje. Kapiteni ka plotësuar numrin 4 të kartonëve të verdhe, ndërsa mesfushori prej 3 javësh është i dëmtuar.
Ndërkohë sa i takon formacionit që mund të hedhë në fushën e lojës, ish-timonieri i Shkëndijës së Tetovës ka dilema sulmin. Gomesh dhe Gruda janë në balotazh mes tyre për një fanelë titullari dhe Osmani do të vendosë ditën e nesërme se cili do të startojë sfidën./newsport/