Të enjten dhe të premten, stadiumi “Loro Boriçi” do të presë dy ndeshje futbolli, një për femra dhe një tjetër për meshkuj.

Kështu, sipas rradhës, e para do të jetë sfida e rëndësishme e UEFA Women Champions League, në mes Vllaznisë dhe Realit të Madridit. Ndërkohë që, një ditë më pas, do të jetë rradha e Vllaznisë së meshkujve, për javën e nëntë të kampionatit të Abissnet Superiore ndaj Bylisit.

Megjithatë, përveç kënaqësisë së jashtëzakonshme që të ofron ndeshja e Champions League e vajzave të Vllaznisë, ajo që tërheq vëmendjen ka të bëjë me tapetin e stadiumit “Loro Boriçi”, i cili në harkun kohor të dy ditëve do të provojë të shkelet jo pak.

Për hir të së vërtetës, tapeti i stadiumit “Loro Boriçi” ka pasur jo pak problematika, teksa deri pak kohë më parë, bari rimbillej disa herë brenda vitit. Megjithatë së fundmi, ka pasur nevojë sërish për disa ndërhyrje dhe në prag të ndeshjes së Vllaznisë së femrave për Champions League, është bërë i mundur rikthimi nën kontroll edhe njëherë tjetër i një cilësie të mirë të terrenit.

Një gjë e tillë ka ardhur edhe falë punës së mirë të atyre që mbajnë këtë terren sportiv, pikërisht puntorëve të fushës, duke i qëndruar mbi kokë çdo detaji që shfaqet, normalisht me aq mundësi sa kanë, sepse në të kundërt, gjendja e tapetit do të kishte qenë më e rënduar.

Ndërkohë, “Shkodra Sport” ka pasur edhe biseda me specialistë të terreneve sportive për një gjë të tillë, teksa ata bëjnë apel dhe janë të mendimit që të ketë më tepër kujdes dhe vigjilencë në këtë drejtim për ta mbajtur nën kontroll situatën në fjalë, në mënyrë që gjendja e terrenit të stadiumit “Loro Boriçi” të mos shkojë në përkeqësim.
Maringlen ZHIVANI