Nga Maringlen ZHIVANI
Dy notarët shkodranë të Future Sports Academy Shkodër, Arlind Hysaj dhe Arbër Hysaj kanë bërë një përfaqësim shumë pozitiv në garat e Kupës së Republikës së Kosovës. Në këtë kompeticion që u zhvillua në Prishtinë, krahas të gjithë ekipeve të Kosovës, morën pjesë nën siglën e Shqipërisë edhe dy notarët shkodranë, Arlind Hysaj dhe Arbër Hysaj.
Kjo dyshe arriti të sigurojë tre vende të para, një vend të dytë dhe një vend të tretë në gara të ndryshme që u zhvilluan. Në fakt, më tepër ka spikatur notari Arbër Hysaj, i cili dominoi garat e disiplinës 100-metër katër-notim Kategoria absolute dhe në disiplinën 100-metër katër-notim grup-mosha 14-vjeçare. Në këto dy disiplina, ai siguroi dy medalje ari.
Ndërkohë, në garën e 100-metër stil i lirë, Arbër Hysaj fitoi vend të tretë dhe medalje bronzi. Poashtu, vëllai i tij Arlind Hysaj në disiplinën 50-metër not delfin arriti të jetë në vendin e parë, duke marrë edhe medaljen e arit. Ndërkohë, në disiplinën 50-metër stil i lirë siguroi vendin e dytë, ku mori edhe një medalje argjendi. z
Kështu, dy notarët shkodranë Arlind Hysaj dhe Arbër Hysaj të shoqatës “Future Sports Academy Shkodër” kthehen nga Prishtina me pesë medalje, duke konfirmuar edhe njëherë tjetër paraqitjen e mirë të tyre që kanë bërë në Kupën e Republikës së Kosovës.