Vllaznia zhvilloi pasditën e sotme stërvitjen e rradhës para ndeshjes ndaj Kastriotit. Në këto momente që flasim, Egnatia është katër pikë larg dhe duhet perfeksioni për të kapur rrogozhinasit. Megjithatë, kuqeblutë do të synojnë Europën nga të dyja frontet deri në fund, qoftë nga kampionati apo edhe nga Kupa.
Ndërkohë, kjo javë nuk ka shkuar aspak e qetë për Vllazninë. Lajmi më i dhimbshëm ishte humbja e Geralb Smajlit, i dëmtuar në meniskun e gjurit dhe i operuar vetëm para pak ditësh. Praktikisht, mbrojtësi i djathtë e ka humbur këtë sezon, pasi do t’i duhet rreth një muaj e gjysmë për t’u rikuperuar.
Nga ana tjetër, kapiteni Gurishta, Bulatoviç dhe Balaj kanë pasur probleme dëmtimi dhe nuk kanë qenë të gatshëm ditët e fundit. Megjithatë, lajmi i mirë për sot ka qenë se Bulatoviç është stërvitur normalisht me grupin dhe nuk ka shfaqur shqetësime.
Nga ana tjetër, edhe Balaj pritet të stërvitet normalisht ditën e nesërme dhe do të mund t’ia dalë të luajë si titullar. Ndërkohë, kapiteni Erdenis Gurishta është ende në dyshim për ndeshjen e së shtunës ndaj Kastriotit.
Kështu, ndikuar nga kjo gjendje jo-optimale e futbollistëve, Goçe Sedloski pritet t’i kthehet formacionit 4-2-3-1 për këtë sfidë. Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse do të ketë ndryshime të tjera deri të shtunën apo jo.
Maringlen ZHIVANI