Vllaznia edhe sivjet nuk arriti nivelin që të gjithë dëshironim. Pas përfundimit të ndeshja “play- out” dhe qendrimit në Superligë, do të jetë kohë analizash, përgjegjësishë, ristrukturimi të domosdoshëm. Ardhja e sponsorit Alban Xhaferi, është një motivim më shumë për kthesën e shumëpritur nga viti 2011, sezoni i fundit kur kuqeblutë luajtën në Kupat e Europës.

Megjithatë, ky sezon ka edhe disa suksese shkodranësh. Nuk e kemi fjalën për futbollistët. Si fidanishme e pashterrshme, Vllaznia ka furnizuar e do të furnizojë ekipet shqiptare me talente. Shumë pak ekipe mund të mos kenë në përbërje shkodranë. Në mos futbollistë, trajnerë. E pikërisht për to po shkruajmë sonte.

Armando Cungu dhe Edi Martini, ia dolën të arrijnë Europën e futbollit me ekipet e tyre. Madje, Edi Martini me Teutën e rij, synon edhe Kupën e Shqipërisë meqenëse është në finale me Tiranën. Futbollistë të spikatur, madje të shkëlqyer në pozicionet e tyre në fushë, me Vllazninë e me klube të tjera, brenda e jashtë vendit, Cungu e Martini korrën një sukses personal jo të vogël.

Me klube “të vogla”, me buxhete jo të standarteve më të larta, të ardhur në pankina si zëvendësues të trajnerëve që nuk ia dolën, ata kanë treguar profesionalizëm dhe aftësi. Nga java në javë, vlerat e tyre kanë rënë në sy dhe sot, në finish të Superligës, marrin edhe frytet.

Teuta dhe Laçi kanë siguruar Europën, ndërsa kanë mbetur edhe 90 minuta për të ulur siparin plotësisht. Urime Cungu! Urime Martini! Pa më të voglin dyshim, keni peshën tuaj të rëndësishme në arritjen e objektivave të rradhës! /Shënim i ShkodraWeb Media/