Talentet shqiptare spikasin gjithëandej. Europës. Të tillë të shumtë ka edhe në vendet skandinave. Vëllezërit Arbnor e Agon Muçolli po shkëlqejnë në futbollin danez me ekipin Vejle dhe si rezultat ishin ftuar në përfaqësuesen e të rinjve të Danimarkës. Të dy kanë zhvilluar së bashku 22 ndeshje me këtë përfaqësuese, por gjithçka ka marrë fund këtu. Në fakt, ata së fundmi kanë hequr dorë nga Danimarka dhe i janë bashkuar Kombëtares shqiptare U-21. Agoni, 19 vjeç, kishte zhvilluar shtatë ndeshje me ekipin U-16 të Danimarkës, nëntë ndeshje për U-17 dhe dy për U-19, derisa kishte debutuar në një ndeshje testuese ndaj Ukrainës me ekipin U-20 të Danimarkës.
Arbnori, një vit më i ri, i ka thënë “Po” Kombëtares U-21 të Shqipërisë dhe është i gatshëm të luajë në vazhdimësi për Kuqezinjtë. “Trajneri i ekipit U-21 më ka thirrur dhe më ka pyetur nëse do të doja ta zhvilloj një ndeshje kundër Gjeorgjisë, kështu që unë kam thënë ‘Po’. Kam luajtur 65 minuta. Kam dashur gjithmonë të luaj për Shqipërinë ose për Kosovën. Më pas Shqipëria më ka ftuar dhe ishte një mundësi e mirë për mua. Janë ndjenjat ato që më kanë shtyrë ta marr këtë vendim. Ishte një vendim mjaft i lehtë”, – përfundoi ai.
Edhe Agoni, sipas “zëri.info”, ka vendosur ta zgjedhë Shqipërinë para Danimarkës. “Kur është paraqitur mundësia, nuk kam hezituar. Ka të bëjë me emocionet. Është diçka speciale për mua ta vesh fanellën e Shqipërisë. Atë e ndiej më shumë, nuk ka të bëjë shumë me kualitetin e skuadrave respektive”, – shprehet ai. Arbnori është ftuar për ekipin kombëtar shqiptar U-20, por është dashur të heqë dorë përkohësisht për shkak të lëndimit.