Ndeshja që do mbyllë këtë vit futbollistik për Vllazninë, do jetë dueli i së enjtes kundër Teutës. Durrsakët do vizitojnë Shkodrën pas 2 fitoreve rradhazi e ndërsa kuqeblutë vijnë nga 2 humbje rresht. Humore të ndryshme në kampet respektive, por shkodranët me patjetër nuk do kënaqen me pak.

Dhe kjo do të thotë që fitorja kthehet si në një detyrim përballë “djemëve të detit”, ku tashmë ekipi i drejtuar nga Josa e ka komplikuar mjaft situatën me renditjen.

Ku nga një ekip që duhej të ishte për zonën europiane apo edhe titullin kampion, skuadra po vuan momentalisht. Dhe ndodhet në vendin e 6-të me 19 pikë. Me Teutën që pas fitoreve të fundit është ngjitur në kuotën e 14 pikëve.

Statistikat tregojnë për një Vllazni që nuk njeh humbje në dy vitet e fundit në Shkodër kundër durrsakëve. Pavarësisht se Teuta ka dalë edhe kampion para dy edicioneve, nuk ka arritur të marrë pikët e plota në “Loro Boriçi”. Kështu fitorja e fundit e Teutës në Shkodër daton më 28.06.2020. Durraskët fitonin 0-3 në javën e 31-të te edicionit 2019-20 të Superiores.

Për bregdetarët shënonin Aleksi, Vila dhe Kallaku. Që nga ajo periudhë Vllaznia ka 2 fitore në shtëpi dhe po ashtu 2 barazime në duelet përballë Teutës. Pavarësisht gjithçkaje çdo gjë do luhet ditën e enjte në orën 15:45 mes shkodranëve dhe durrsakëve. Në duelin që mbyll edhe vitin e futbollit për secilën nga skuadrat e Superiores.
Endri ÇINARI