www.shkodrasport.com
Dy xhudistë të vllaznisë pjesmarrës në Kupën e Europës
Shqipëria do të përfaqësohet në Kupën e Europës në xhudo, një nga aktivitetet më të rëndësishme të këtij sporti, me dy sportistë të Vllaznisë. Bëhet fjalë për xhudistin Ndoc Ndoci dhe Alfons Babanin. I pari do konkurrojë në peshën 81 kilogramë ndërsa I dyti në peshën 90 kilogramë. Ky është vendimi që Federata Shqiptare e Xhudos në bashkëpunim me stafin e ekipeve kombëtare ka marrë për të përzgjedhur këta dy sportistë për pjesmarrjen në këtë aktivitet shumë të rëndësishëm. Lajmin e ka bërë të ditur për gazeten online www.shkodrasport.com, trajneri I ekipit kombëtar të xhudos Anton Shkoza sipas të cilit, dy sportistët Ndoci dhe Babani do tentojnë të bëjnë një paraqitje sa më të mirë në këtë aktivitet. Kupa e Europës për këtë vit zhvillohet këtë të shtunë në Sarajevë të Bosnjës dhe ka pjesmarrje të gjerë të gjithë sportistëve më të mirë të kontinentit tonë. Kuptohet që përballë një niveli të tillë, dy xhudistët tanë do kenë pak shanse për medalje megjithatë trajneri Shkoza është optimist për një paraqitje të mirë të tyre. Më shumë sesa rezultati që mund të arrijnë Ndoci dhe Babani në Sarajevë, për t’u lavdëruar janë përpjekjet e drejtuesve të këtij sporti për të marrë pjesë në të gjithë aktivitet që Federatat Europiane dhe ajo Botërore zhvillojnë, pa lënë mënjanë edhe turnetë e shumta që zhvillohen në vendet e rajonit tonë. Kuptohet që meritë të jashtëzakonshme këtu ka ekipi I Vllaznisë që dominon në të gjitha disiplinat e këtij sporti si dhe Akademia “Albania Xhudo Kodokan” me president Anton Shkozën, njeriun që ka meritën e madhe të sukseve të këtij sporti në vendin tonë prej vitesh.