Vllaznia – Partizani është vlerësuar si kryendeshja e kësaj jave dhe si e tillë interesi për ta ndjekur nga shkallët e stadiumit është mjaft i madh.
Tifozët shkodranë kanë zbarkuar ditën e djeshme në sportelet e “Loro Boriçit” duke blerë biletat për të qenë të pranishëm. Nuk ka një shifër zyrtare, por nga sa mësohet, janë shitur deri dje rreth 3 mijë të tilla.
Impianti shkodran pritet të jetë “rrafsh”, ndërsa skuadra e Mirsad Jonuz është përgatitur maksimalisht për një rezultat pozitiv.
Historia e këtyre dy ekipeve dihet dhe kësisoj Federata Shqiptare e Futbollit ka menduar të caktojë një arbitër me eksperiencë. Ende s’është zyrtare, por Andi Koçi ka të gjithë kreditet e mundshme për të gjykuar një ndeshje të tillë.
Arbitri i kolegjiumit të Durrësit pritet të vërë drejtësi sot në një takim ku në fushë zbresin plot 25 tituj kampionë. Përballja mes shkodranëve dhe kryeqytetasve është vendosur të zhvillohet në orën 17:00./newsport/