Alarmi nga UEFA për Bylis-Tirana 2- 1 në Kupën e Shqipërisë nuk ishte nga ata të zakonshmit që shpesh sektori i monitorimit të basteve në qeverinë e futbollit europian dërgon për ndeshje të kampionatit shqiptar. Sinjalet e kompanive të basteve ishin dhënë që në fundin e pjesës së parë në sfidën e luajtur në “Adush Muça” të Ballshit.

“Panorama Sport” zbulon ekskluzivisht nga burime të sigurta se për të ndjekur të gjitha lëvizjet në pjesën e dytë, u futën në lojë vetë inspektorët e integritetit në UEFA. Indiciet se do të ndodhte një përmbysje bënë që 45 minutat e dyta të shikoheshin me lupë dhe kjo e kishte një arsye të fortë.

Në fushë ishin dy skuadra që pretendonin finalen e Kupës së Shqipërisë dhe fituesi i këtij kompeticioni përfaqësohet në Ligën e Europës. Kjo i detyroi inspektorët e UEFA-s që të përkushtoheshin te ndeshja e Ballshit, pasi ajo lidhej direkt me kompeticionin e saj.

Logjikisht, një nga skuadrat do të kualifikoheshin në finale dhe nëse qeveria e futbollit konfirmonte dyshimet që kishte, atëherë kjo do të ishte problematike.

Mësohet se nuk kaluan shumë orë nga përfundimit i ndeshjes dhe në “emailin”-in e një prej zyrtarëve të lartë të federatës mbërriti raporti i plotë nga kompania “Sport Radar”.

Dyshimi ishte i fortë, por për UEFA-n më alarmues ishte fakti se pjesë e ndeshjes ishte ekipi që u shpall kampion dhe ai që u kualifikua në finalen e Kupës. Megjithatë, sido që të shkojë finalja, Tirana ka fituar të drejtën e pjesëmarrjes në Ligën e Kampioneve.