Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA) publikoi në fund të shatorit të vitit 1993 një deklaratë zyrtare me anë të së cilës e konsideronte të mbyllur skandalin për shkak të një tentative të pretenduar për të trukuar ndeshjen e luajtur nga kombëtarja spanjolle në Shqipëri (1-5) të denoncuar nga rrjeti “SER” në programin e vet “The Spar”.

Huan Espino, nënkryetar i federatës, deklaroi se një ndërmjetës i ishte ofruar për të rregulluar ndeshjen e Shqipërisë. Sekretari i përgjithshëm, Gerardo Gonzalez, deklaroi se federata e refuzoi ofertën menjëherë. Në tekstin e FIFA-s shkruhej si më poshtë:

“Pasi është studiuar dokumentacioni i siguruar nga Federata Spanjolle në lidhje me parregullsitë e pretenduara të ndodhura në ndeshjen kualifikuese për Kupën e Botës ‘SHBA 1994’ Shqipëri-Spanjë, e cila u luajt në Tiranë më 22 shtator, FIFA arriti në përfundimin se nuk ka arsye për të hyrë në këtë çështje, pasi të dyja federatat, ajo e Shqipërisë dhe ajo e Spanjës, vepruan absolutisht në mënyrë korrekte”.

Më poshtë deklarata vazhdonte: “Sekretari i përgjithshëm i FIFA-s, Zhozef Blater, është i befasuar nga ashpërsia e informacionit të disa mediave spanjolle, të cilat vunë në pikëpyetje veprimet e dy shoqatave kombëtare të lidhura me FIFA-n dhe, së fundi, besueshmërinë e Kupës së Botës dhe të FIFA-s”.

Megjithatë, organi më i lartë ndërkombëtar i futbollit nuk u referohet deklaratave të bëra për rrjetin mediatik “SER” nga nënpresidenti i Federatës Spanjolle, Huan Espino, për ofertën që ka marrë nga një ndërmjetës për lojtarët shqiptarë, Karlos Uriarte. “Ky person më thotë se ka mundësi të rregullojë ndeshjen e sotme [22 shtator].

Telefonata e tij është nga Spanja. Ai nuk më kërkon asnjë shumë, por më thotë se duket se skuadrat e tjera të grupit ku shfaqet Spanja, pa i saktësuar, mund të kishin bërë diçka në këtë kuptim”, tha Espino. Incidenti shërbeu për të hapur një plagë të re në marrëdhëniet mes Federatës Spanjolle të Futbollit dhe Këshillit të Lartë të Sportit, presidenti i të cilit u shpreh: “Është një gabim i rëndë të mos e denoncosh faktin më parë”.

Ja pse u duhej fitorja spanjollëve në Tiranë

Spanja duhet të fitonte patjetër në ndeshjen e luajtur në Tiranë më 22 shtator 1993 në stadiumin “Qemal Stafa”, pasi rrezikonte të mbetej jashtë Botërorit 1994, që u zhvillua në Brazil. Në grupin 3 eliminator me shtatë skuadra, rivaliteti ishte i madh, pasi Irlanda dhe Danimarka e mbyllën me vetëm një pikë më pak se Spanja kryesuese. Iberikët fituan 1-5 në Tiranë, duke mbyllur gjithçka që në pjesën e parë.