Robert Lewandowski mund të jetë një nga lojtarët e radhës që do të rishikojë kontratën e tij. Siç është raportuar në programin ‘La Posesión’, klubi ka ndërmend t’i ofrojë atij një zgjatje të kontratës deri në vitin 2027, pasi ka parë se mosha nuk është pengesë për performancën e tij të mirë.
Polaku ka kontratë deri në vitin 2026, përveç rastit kur ai nuk arrin të luajë në 55 për qind të ndeshjeve, çka do të thotë se marrëveshja e tij është pothuajse e garantuar. Tani klubi po mendon ta zgjasë edhe për një vit tjetër, duke e mbajtur atë deri në vitin 2027.
Zgjatja për një sezon tjetër gjithashtu mund të ndihmojë në shpërndarjen e pagës së tij. Shuma që do të marrë midis viteve 2026 dhe 2027 do të ndahej në dy sezone, diçka që do ta ndihmonte klubin të ketë më shumë hapësirë në aspektin e ‘fair play’ financiar.
Duke marrë parasysh marrëdhëniet e mira mes klubit dhe përfaqësuesve të lojtarit, pritet që të arrihet një marrëveshje pa shumë vështirësi. Lewandowski është shumë i përkushtuar ndaj Barçës dhe projektit premtues që po ndërtohet nën drejtimin e Hansi Flick.
Kontrata do të përfshijë gjithashtu një sërë bonusesh, bazuar në objektivat dhe numrin e ndeshjeve të luajtura, si dhe një klauzolë për largim si nga ana e klubit, ashtu edhe e lojtarit në verën e vitit 2026.
Drejtuesit sportivë të Barcelonës konsiderojnë se pozicioni i sulmuesit qendror është i mbuluar shumë mirë me Lewandowskin dhe se nuk ka alternativa reale në treg. Lojtarë si Alexander Isak i Newcastle kanë një çmim shumë të lartë, ndaj ish-sulmuesi i Bayernit mbetet garanci, ashtu siç po e dëshmon me statistikat e tij këtë sezon.
Lewandowski po lufton për “Këpucën e Artë” europiane dhe po rivalizon me Kylian Mbappé për trofeun ‘Pichichi’ në La Liga, prandaj zgjatja e kontratës së tij ka shumë kuptim.
Barcelona, pra, vazhdon të mbështetet në një skuadër me përzierje të plotë përvojash, nga veteranët si Lewandowski dhe Iñigo Martínez deri te talentet e rinj si Lamine Yamal, Gavi, Pedri dhe Cubarsí./telesport/