Armando Broja po kalon orë vendimtare për të ardhmen e tij, me sulmuesin e Kombëtares shqiptare që nuk është në planet e trajnerit Maresca, teksa tashmë po stërvitet me skuadrën e 21-vjeçarëve të Chelseat.
Sa i përket të ardhmes së tij, ajo po kthehet në një “telenovelë”. Broja ishte shumë pranë kalimit te Ipswich, por çdo gjë u prish pasi sulmuesi shqiptar nuk i kaloi dot testet mjekësore.
Tashmë, eksperti i merkatos, Fabrizio Romano, raporton se interesi i klubit që sapo u ngjit në Premier League është rikthyer për sulmuesin 22-vjeçar.
Ai tregon se Ipswich do t’i paraqesë një ofertë të re Chelsea-t, sërish në formën e huazimit dhe do të mund ta transferojë nëse mbijeton, por jo për 30 milionë paund, duke shpresuar se “Blutë” e Londrës do ta ulin çmimin.