Vllaznia ka lënë pas një sezon me shumë probleme dhe mes drithërimash ka arritur të sigurojë mbijetesën por natyrisht që shumëkush pyet se çfarë do të ndodhë në të ardhmen. Të gjithë pyesin nëse do të privatizohet klubi, të gjithë pyesin kush do jenë lojtarët që do ta përfaqësojnë atë e po ashtu, një tjetër pyetje është nëse Armando Cungu do të vazhdojë të jetë më trajner i kuqebluve. Një pyetje të tillë në fakt as vetë trajneri për momentin nuk është në gjendje t’i kthejë përgjigje dhe ka kërkuar disa ditë kohë për të vendosur. “Ju lutem, më lini të qetësohem paksa e të harroj këtë periudhë të vështirë që kam përjetuar sëfundmi. Më pas do të vendos për të ardhmen time. Natyrisht që unë i detyrohem Vllaznisë sepse kjo është skuadra që më ka bërë të njohur edhe si futbollist, edhe si trajner. Ne të gjithë kemi detyrime ndaj saj. Unë kam treguar se mund t’i gjendem pranë edhe në momentet më të vështira dhe kështu duhet të bëjë në fakt çdokush që e quan veten shkodran. Do e mendoj me qetësi çështjen e së ardhmes time tek Vllaznia dhe më pas do ta vendos”- ka thënë ai. Pas ndeshjes me Tiranën, Cungu ka festuar si i çmendur dhe i zhveshur, shpeshherë ka vënë dorën në zemër si për të treguar se Vllaznia dhe tifozët e saj të mrekullueshëm janë gjithnjë në zemrën e tij. Por a mjafton kjo gjë për të thënë se ai do të jetë trajneri i saj edhe në sezonin e ri? Të presim.
© shkodrasport.com