Marash Kumbulla nuk dihet ende nëse do të jetë apo jo pjesë e Romës në këtë sezon të ri, ku ekipi verdhekuq pritet të jetë ndër katër klubet më të forta. Në fakt, klubi i konfirmoi në fillim të fazës përgatitore se do të mbetej nën urdhrat e Jose Mourinhos, pasi ai e sheh si një alternativë të vlefshme për skuadrën kryeqytetase.
Megjithatë, interesimi për të nuk është ndalur dhe skuadrat e Torinos dhe Fiorentinës shumë shpesh janë përmendur si të gatshme për të blerë futbollistin e përfaqësueses shqiptare. Në fakt, çmimi që i ka vendosur Roma në këtë rast, ka bërë që asnjë prej tyre të mos vihet në lëvizje me një ofertë zyrtare.
Mediat italiane raportojnë se, Roma kërkon 13-milionë euro, shifër që është vlerësuar tashmë si e lartë për mbrojtësin, duke llogaritur se ai ka humbur statusin e titullarit me të cilin udhëtoi drejt kryeqytetit italian kur u ble nga Verona. Megjithatë, një mbrojtës si Marash Kumbulla duhet të shitet me një shifër më të lartë, edhe pse tek Roma nuk ka pasur statusin e titullarit.
Për këtë arsye, ofertat zyrtare mungojnë ose të paktën do të vazhdojnë të mungojnë deri në ditët e fundit të merkatos, kur gjërat zakonisht ndryshojnë shumë shpejt.
Maringlen ZHIVANI