Kombëtarja shqiptare do ta mbyllë Ligën e Kombeve me trajnerin Edi Reja, por më pas mund të ketë ndryshime. Në Federatë po mendojnë të ardhmen afatgjatë me një tjetër teknik italian.

Rinovimi i kontratës është deri në 2022. Edi Reja mund të thuhet se i ka pozitat të forta në kombëtaren e Shqipërisë, por gjithsesi nuk mund të përjashtohen edhe të papritura. Burime në Federatën Shqiptare të Futbollit bëjnë me dijë për Abc News se në njerëz të rëndësishëm në institucion gjykojnë se duhet menduar për një zgjidhje afatgjatë, pra për një trajner më të ri.

Janë njerëz tepër të afërt të presidentit Duka që gjykojnë kështu, ndonëse vendimi për teknikun e kombëtares është ekskluzivisht i kreut të Federatës. Këto burime kanë theksuar se ka ekzistuar plani për ta bërë Rejën njeriun që do të kërkojë lojtarët për kombëtaren nëpër Europë dhe për t’i dhënë të drejtën të propozojë emrin e trajnerit të ri, që sipas Dukës duhet të jetë sërish italian.

Reja është 75 vjeç dhe ndonëse është në gjendje shumë të mirë fizike dhe shëndetësore, mund ta ketë të vështirë një ngarkesë kaq të madhe siç është ajo e drejtimit të një ekipi kombëtar, për motivimin e së cilit duhet energji e madhe.

Aq më tepër në një moment kaq delikat, kur duhet rinovimi i skuadrës dhe kur Shqipëria nuk ka një stabilitet në formacion. Vetë Reja e ka pasur parasysh diçka të tillë, kur ka këmbëngulur për të rinovuar deri në 2022, jo deri në 2024, siç u diskutua më parë.

Gjithsesi, Shqipëria pritet t’i mbyllë ndeshjet në Ligën e Kombeve me teknikun aktual dhe vetëm më pas mund të ketë bisedime për të ardhmen. /abcnews/