Nuk është më sekret, e ardhmja e Skënderbeut varet nga vendimi i Gjykatës së Arbitrazhit sportiv në Lozanë të Zvicrës.
Triumfuesit e dyfishtë të këtij edicioni në futbollin shqiptar janë me sy e veshë nga vendimi i KAS-it për të programuar jo vetëm verën, por edhe të ardhmen e klubit.
Në mesin e muajit qershor, KAS-i do të konfirmojë ose jo pezullimin e Skënderbeut nga kompeticionet e UEFA-s, ndërsa më vonë pritet vendimi përfundimtar i çështjes.
Shpresat e kampionit dhe fituesit të Kupës për të luajtur në Champions League janë të mëdha, me skuadrën që synon të luajë në kompeticionin më të rëndësishëm europian për klube dhe në të njëjtën kohë të vijojë betejën në sallën e gjyqit për të fituar pafajësinë.
Derisa të dalë ky vendim, te korçarët nuk pritet asnjë vendim apo lëvizje, për të konfirmuar lojtarët aktualë si dhe për të bërë ndërhyrje në merkato.
Ndoshta lëvizja e vetme mund të jetë largimi i Gavazajt për një shumë që do të mbushë arkat e klubit ashtu si dhe përfundimi i huazimit për Ali Sowe.
Për të synuar lëvizjet në hyrje apo dhe kontratat e reja, duhet patjetër që të konfirmohet pjesëmarrja në Europë dhe gjithçka do të varet nga vendimi i Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv.