E ardhmja e trajnerit Thiago Motta në krye të stolit të Juventus është në dyshim, sidomos pas humbjes 0-4 ndaj Atalanta. Klubi i kërkon me çdo kusht kualifikimin në Champions League sezonin tjetër por edhe kjo mund të mos mjaftojë për të shpëtuar vendin e punës.

Kështu, sot është përfolur për një listë me dy kandidatë që mund t’i zënë vendin, dy trajnerë të njohur italiane: Stefano Pioli dhe Roberto De Zerbi. Duket se këta dy kandidatë janë më të besueshmit për të rikthyer “zonjën e vjetër” në elitën e futbollit italian.

Emri i Gasperini nuk është marrë kurrë në konsideratë, ndërsa rikthimi i Conte nuk shihet me optimizëm nga Giuntoli. Emrat e tjerë, ato të Mancini dhe Tudor, nuk janë vlerësuar kurrë realisht. Për momentin, klubi do të vazhdojë me Thiago Motta dhe në qershor do të vlerësojë të ardhmen e tij.

Me pak fjalë, loja është e hapur dhe është e kufizuar në dy emra. Ose më mirë tre, në rast se Thiago Motta arrin ta përfundojë sezonin me një notë të lartë për të bindur Juventus të konfirmojë besimin tek ai. Fjalën e fundit mund ta thotë Andrea Agnelli, pasi përflitet për një rikthim të mundshëm në krye të klubit.