Amir Rrahmani nuk do të jetë më futbollist i Veronës duke filluar nga muaji janar. Klubi i Veronës ka arritur akordin me Napolin për transferimin e tij te skuadra napolitane e drejtuar nga Gatuzo. Zërat kanë qarkulluar së fundmi në mediat italiane teksa e ka konfirmuar edhe Arbër Abilaliaj i cili është pjesë e studios menaxheriale së bashku me Ardian Aliajn dhe Rrahmanin e kanë nën menaxhim.

I ftuar në emisionin “Rubrika Sportive”, Abilaliaj u shpreh se klubet kanë arritur akordin dhe gjithçka është vetëm çështje formale që të zyrtarizohet gjithçka. Natyrisht kjo është një arritje e madhe për mbrojtësin e Kosovës.

“Kalimi i tij te Napoli është 90% i mbyllur. Ka mbetur vetëm çështja formale që të bëhet zyrtare gjithçka. Rrahmani ka arritur në një agjenci që ka 4 vjet dhe në vitet e fundit ka pasur shumë rritje. Është një shembull sepse ishte i Partizanit dhe ka luajtur këtu e në Kosovë. Duke u rritur gradualisht po përmbyll një marrëveshje te një klub si Napoli dhe është një shembull për t’u ndjekur”, tha Abilaliaj. /VipSport/