Boksi shqiptar i pasviteve ’90 ka nxjerrë shumë emra të mëdhenj sportistësh. Kampionë si Artur Gavoçi, Besnik Limani, Sokol Buliqi, Besnik Gjetja, Nelson Hysa, Kristian Demaj etj, kanë patur arritjet e tyre por disa janë tërhequr shpejt. Të tjera kanë vazhduar deri në një moshë normale por rasti i Jetmit Kuçit është i veçantë. Kampioni shumëvjeçar i boksit amator në Shqipëri, prej vitesh ka kaluar në boksin profesionist.
Ndonëse është 40 vjeç ai vazhdon të bëjë boks. Për këtë arsye, më 7 shkurt do ngjitet në ring. Përballë do të ketë një boksier grek. Gjithçka do të ndodhë në Tiranë në një aktivitet që Federata Shqiptare e Boksit ka vendosur të zhvillojë dhe në kuadrin e ndeshjeve dhe spektaklit që do të zhvillohet, përveç ndeshjeve të boksit amator, do ketë edhe një ndeshje profesionistësh. “Bacuku” shkodran përballë një greku. Ndeshja do të zhvillohet në sallën sportive “Feti Borova” dhe do të jetë “qershia mbi tortë” e kësaj mbrëmje spektakli.
Rikthimi: “Ndeshjen e fundit në boksin profesionist e kam zhvilluar para katër vitesh në Hollandë. Kjo tashmë do të jetë e 11-ta teksa më përpara kam rregjistruar shtatë fitore dhe tre humbje. Po përgatitem me intensitet për këtë ndeshje dhe shpresoj t’ia dal me sukses”- shprehet Jetmir Kuçi.
Mosha: Ai është 40 vjeç por në fakt duket shumë më pak. Nga stërvitja që zhvillon dhe trupi muskuloz që ka. “Gjithçka është psikologjike sepse mosha patjetër që bën të vetën por të them të drejtën ndihem krejt bosh kur nuk jam në familjen e boksit”- shprehet kampioni shkodran.
Jo e fundit: Takimi i muajit të ardhshëm nuk do të jetë i fundit për Jetmir Kuçin në ringun profesionist. Paksa e çuditshme por ky është realiteti. Ai nuk ka dëshirë të tërhiqet. “Jo, jo, nuk do të jetë e fundit. Besoj se kam ende fuqi për të vazhduar”- thotë ai.
© shkodrasport.com
Ringu i “Feti Boroves” ku do te zhvillohet ndeshja me 8 shkurt.