Paraqitjet fantastike të kombëtares së Kosovës dhe ekipeve kosovare në Kompeticionet Europiane kanë ngjallur interesin e investitorëve të huaj. Këto të fundit kanë nisur kontaktet me krerët më të lartë të skuadrave të Superligës kosovare, të cilën e shikojnë si një treg me mjaft prespektivë.

Skuadra e parë që pritet të blihet nga investitorët e rëndësishëm është ekipi i Llapit. Skuadra nga Podujeva ka nisur kontaktet me një biznesmen gjerman. Lajmi është pohuar nga të dy palët, me Holger Krebs që tashmë është në fazën finale me aksionerin aktual të skuadrës, Beqir Batatina.

“Do të ketë nevojë që të bisedojmë për një koncept të klubit. Fokusi ynë është që të rrisim nivelin e organizimit dhe të krijojmë kushte për grupmoshat e reja. Biseda që kemi bërë është shumë pozitive dhe besoj që do ta gjejmë një rrugë të përbashkët. Do të sqarohen të gjitha gjërat dhe do ta nënshkruajmë kontratën”, ka përfunduar Krebs.

“Këta donatorë do të na ndihmojnë në anën financiare, por do të na ndihmojnë edhe në shitjen e futbollistëve në klubet evropiane”, ka thanë Batatina.

Aktualisht, Llapi renditet në pozitën e tretë me 60 pikë, vetëm dy pikë më pak se Ferronikeli dhe Prishtina që mbajnë vendet e para të tabelës./newsport/