Daniel Maldini është “shënjestruar” nga afër. Jo nga mbrojtësit veçanërisht agresivë, por nga drejtuesit e Federatës së Futbollit të Venezuelës që do të donin ta shihnin atë të vishte fanellën e kombëtares së tyre.

Ky është lajmi i bujshëm i raportuar nga “Tuttosport” për djalin e dytë të lavdisë së madhe të Milanit, Paolo (vëllai i tij i madh, Christian e la futbollin për t’u bërë menaxher), i cili aktualisht luan për Monza, pavarësisht se është në pronësi të klubit kuqezi.E sigurt është se Daniel Maldini ka gjithçka që duhet për të luajtur me Venezuelën.

Kjo pasi, siç konfirmon edhe “transfertmarkt”, mban edhe pasaportën e vendit të Amerikës së Jugut, falë kombësisë së nënës së tij, Adriana Fossa.

Për sa iu përket rregulloreve të FIFA-s, gjithçka do të ishte e mundur sepse pasardhësi më i ri i familjes “Maldini” ka veshur vetëm fanellën e të rinjve të kombëtares italiane, duke luajtur në ekipet U-18, U-19 dhe U-20.Kjo gjë nuk përbën asnjë pengesë për ndryshim të kombëtares nga Daniel.Ndër të tjera, rregullat e FIFA-s për këtë çështje ndryshuan edhe në vitin 2020.

Sidoqoftë, Maldini junior duhej të kishte luajtur më pak se tri ndeshje me kombëtaren e Italisë (para ndryshimit të rregullit), që të pranonte propozimin e një ekipi tjetër përfaqësues, përderisa ka pasaportën e vendit që e dëshiron ta përfaqësojë (ndeshja e fundit me kombëtaren e vjetër megjithatë duhet të jetë luajtur të paktën 3 vite më parë).

Prandaj, topi i kalon Daniel Maldinit, i cili deri më tani nuk ka gjetur vend në kombëtaren e Luciano Spallettit, ndaj është plotësisht i lirë.

Nëse vendos të veshë fanellën e Venezuelës, kundërshtarit të Italisë në miqësore, mund të përfitojë edhe nga konkurrenca më e vogël se ajo që ekziston te axurrët.

Dhe mund të konkurrojë në Kupën e Botës, duke pasur parasysh se venezuelianët janë në garë për kualifikim në edicionin e vitit 2026.Daniel Maldini po tërheq vëmendjen e venezuelianëve edhe me paraqitjet e tij.

Në 4 ndeshjet e fundit me Monza u paraqit mirë, duke shënuar 3 gola dhe fituar gjithnjë e më shumë besim.Kush e di, ndoshta dikush mund ta vërejë atë, qoftë edhe në kampin axurr. Do të ishte zgjatja e një tradite legjendare, me Cesare, Paolo dhe më pas Daniel. Megjithatë, është e vështirë të përsërisë atë që bënë babai dhe gjyshi i tij.

Është po aq e vështirë të mendosh se djaloshi i lindur në vitin 2001 do të vendoste ta ndërpresë këtë histori, duke veshur fanellën e një kombëtareje tjetër, përveç asaj italiane.

Në Venezuelë, megjithatë, ëndërrojnë një “grusht shteti”, sepse emri i Maldinit është legjendar edhe në Amerikën e Jugut. Vetëm mendoni se çfarë ndodhi me Lapadulën në Peru, me një vend të tërë të çmendur pas sulmuesit aktualisht të Cagliari.