La Liga, Ligat Europiane dhe sindikata e futbollistëve FIFPRO kanë denoncuar FIFA-n para Komisionit Europian për pozicionin e saj dominues, referuar kalendarit të ndeshjeve. Gjithçka nisi pas mungesës së konsultimeve me ligat dhe sindikatat e lojtarëve për kalendarin e ri, por veçanërisht me krijimin e Botërorit të ri të Klubeve, i cili do të zhvillohet verën e ardhshme.

Paditësit thonë se FIFA ka abuzuar me pozitën dominuese për të mirën e saj. Premier League tashmë e ka ngritur zërin prej kërkesës së Manchester City për të shtyrë ndeshjet gushtin e ardhshëm, sepse lojtarët nuk kanë fare kohë të pushojnë. La Liga, përmes Javier Tebas, ka dalë gjithashtu qartë kundër Botërorit të ri të Klubeve.

Federatat e ligave të ndryshme janë ato që ndihen më të dëmtuarat nga shtimi i një kompeticioni tjetër, si Botërori i ri i Klubeve, në të cilin kanë pasur pak ose aspak për të thënë. Problemi që po konstatojnë ligat është se klubet kryesore janë në favor të Botërorit të lartpërmendur, për sa kohë që përfitimet ekonomike përmbushin pritshmëritë.

Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, ka siguruar: “Kalendari ka arritur kufirin e tij, por kush ankohet? Ata që marrin pagat më të larta dhe ekipet me 25 lojtarë të nivelit të lartë në përbërje. Ata që kanë paga më të ulëta dhe vetëm 11 lojtarë në përbërje nuk ankohen, iu pëlqen të luajnë”.

Gianni Infantino tha në kongresin e fundit të organizatës botërore që drejton: “FIFA organizon rreth 1% të ndeshjeve të klubeve më të mira në botë. 98-99% e ndeshjeve organizohen nga liga, federata dhe konfederata të ndryshme. FIFA financon futbollin në mbarë botën. Të ardhurat që gjenerojmë nuk shkojnë vetëm për disa klube në një vend, por për 211 vende në mbarë botën.

Misioni ynë është të organizojmë ngjarje dhe gara që zhvillojmë futbollin në mbarë botën, sepse 70% e federatave anëtare të FIFA-s nuk do të kishin futboll pa burimet që vijnë direkt nga FIFA”.

Lidhur me kalendarin dhe ankesat, FIFA vendosi në atë kohë: “Kalendari aktual u miratua njëzëri nga Këshilli i FIFA-s, i cili përbëhet nga përfaqësues të të gjitha kontinenteve, përfshirë Europën, pas një konsultimi të gjerë dhe gjithëpërfshirës, ​​në të cilin FIFPRO dhe ligat morën pjesë. Kalendari i FIFA-s është instrumenti i vetëm që siguron që futbolli ndërkombëtar mund të vazhdojë të mbijetojë, të bashkëjetojë dhe të përparojë së bashku me futbollin e klubeve, vendase dhe kontinentale.

Disa Liga Europiane (që janë organizatore dhe rregullatore të garave) veprojnë me interesa komerciale, hipokrizi dhe pa i marrë parasysh të tjerët. Ato liga me sa duket preferojnë një kalendar të mbushur me miqësore dhe turne verorë, të cilat shpesh përfshijnë udhëtime të gjata nëpër botë.

Përkundrazi, FIFA duhet të mbrojë interesat e përgjithshme të futbollit botëror, duke përfshirë mbrojtjen e lojtarëve, kudo dhe në të gjitha nivelet e lojës. Version ky që ndryshon nga ai i FIFPRO dhe Ligat”./telesport/