Skënderbeu nuk do të marrë pjesë në kupat e Evropës, pasi CAS ua hodhi poshtë kërkesën, por gjithsesi lojtarët bardhekuq mund të aktivizohen me skuadra të tjera në arenën evropiane dhe të synohet shitja e tyre më pas.

Laçi pritet të jetë skuadra që i pret futbollistët kryesorë të Skënderbeut, të cilët kanë edhe potencialin për t’u transferuar jashtë vendit.

E gjitha bëhet edhe për t’u rritur vlerën në treg këtyre lojtarëve.

Në këtë mes përfiton Skënderbeu, por edhe Laçi që do tentojë të kalojë turin e parë në Europa League. Sot bardhezinjtë mësojnë kundërshtarin.

LISTA E LOJTARËVE – Por kush do të huazohet te Laçi? “Sport Ekspres” raporton se drejt kurbinasve do të shkojë Enis Gavazaj, për të cilin ka interesim nga Belgjika, por ende nuk është konkretizuar asgjë.

Atë do ta shoqërojnë edhe disa futbollistë të tjerë. Kurbinasit po kërkojnë prej ditësh sulmues dhe me James Adeniyi në ekip për momentin duhet të ndalen së kërkuari.

Nigeriani pritet të rikthehet edhe një herë bardhezi. Sulmuesi ka shënuar dy gola me Laçin në kupat e Evropës, duke i ndihmuar bardhezinjtë të kalojnë turin ndaj sllovenëve të Rudar Velenje.

Mbrojtja e kurbinasve kërkon përforcime dhe Fidan Aliti është lojtari tjetër që do të marrë rrugën drejt Laçit.

Me Gjonin në qendër të prapavijës plotësohet ky repart, ndërkohë që edhe Bruno Dita e Gjergji Muzaka janë dy emra të tjera që mund të kalojnë te skuadra e drejtuar nga Besnik Prenga.

Gjithçka pritet të sqarohet sot pas hedhjes së shortit të Europa League.

Kundërshtarët e mundshëm të Laçit janë të vështirë, pasi mund të përballen me ekipe si Osijek, Makab, Maçabi Tel-Aviv, Sarajevo, Anorthosis Famagusta, Kairat Almaty. /EDS/