Spanja mund të fillojë Botërorin 2018 të premten pa pasur një trajner të parë në pankinë pasi Julien Lopetegui rrezikon shkarkimin.

Lajmin e jep e përditshmja spanjolle “Marca” e cila ka mësuar se krerët e Federatës Spanjolle ndjehen të tradhtuar nga tekniku i cili do të marrë së shpejti drejtimin e Real Madrid.

Federatës nuk i pëlqen koha në të cilën Lopetegui dhe Reali vendosën që të bënin publike marrëveshjen, duke mos pritur fundin e Botërorit por pak ditë para tij, duke tensionuar disi situatën.

Ndaj mbrëmë ka pasur mbledhje të njëpasnjëshme në stafin drejtues të Federatës për të vendosur për vazhdimësinë e Lopeteguit, dhe shumica ka kërkuar më ngulm shkarkimin e tij.

Presidenti Luis Rubiales dukej shumë i inatosur, pasi mediat kanë zbuluar se Lopetegui as nuk e kishte paralajmëruar për negociatat me Realin.

“Ky nuk është momenti për të folur, por do të marrim vendimet që i shkojnë më shumë për shtat ekipit kombëtar.

Do t’i bëjmë gjërat me përgjegjësi”, ishin fjalët e vetme të thëna nga Rubiales një natë më parë, pas mbërritjes në Krasnodar, ku pritet që sot të ketë një mbledhje që do të përcaktojë fatin e trajnerit. /vipsport/