Një ish-futbollist në Kategorinë Superiore mund të marrë një prej roleve më të rëndësishme në klubin e Interit. Zbulimi vjen nga e përditshmja sportive gjermane “Kicker”, e cila bën të ditur se zikaltërit i kanë bërë një ofertë zyrtare Lutz Pfanenshtil, ish-portierit të Vllaznisë.
Gjermani, pjesë e kuqebluve në vitin 2006, pasi mbylli karrierën e tij që e pa të luante në çdo kontinent, u bë më pas drejtues në Gjermani. Ai fillimisht ishte përgjegjës për skautët e Hofenhajm, e më pas u bë drejtori sportiv i Fortuna Dyseldorf.
Me rënien nga Bundesliga të kësaj skuadre, Pfanenshtil është larguar nga posti i tij dhe me sa duket ka tërhequr vëmendjen e Interit.
“Kicker” ka bërë të ditur se zikaltërit i kanë propozuar atij postin e shefit të vëzhguesve për jashtë Italisë, një rol i rëndësishëm pasi do të jetë përgjegjës për të siguruar talente të reja nga jashtë territorit italian. Pritet përgjigja e Pfanenshtil, por duket se ish-futbollisti i Vllaznisë është gati t’i thotë “po” ofertës zikaltër. /vipsport/