Auron Miloti, Hysen Dedja, Elvis Plori, Hysen Dedja apo të tjerë emra, janë përmendur tre ditët e fundit si kandidaturat e mundshme për të marrë drejtimin e Vllaznisë në sezonin e ri. Por në fakt duket se asnjëri prej emrave të mësipërm nuk ka qenë në planet e drejtuesve kuqeblu për t’i besuar pankinën.

Sponsori Xhaferi dhe stafi i tij që tashmë po merren me ndërtimin e Vllaznisë së re, duket se kanë ndër mend t’i besojnë përvojës së të huajve. Dhe pas akordit me kroatin Matko Djarmati për postin e drejtorit sportiv, “Shkodra Sport” meson se edhe trajneri i ardhshëm i kuqebluve pritet të jetë me origjinë kroate, por i lindur dhe i rritur në Gjermani.

Madje, ka qenë edhe pjesë e kombëtares gjermane në 8 ndeshje teksa ka shënuar 1 gol me të. Bëhet fjalë për Thomas Brdariç, një emër shumë i njohur si futbollist pasi ka luajtur me skuadra të tilla si Shtutgart, Fortuna Dyseldorf, Bajer Leverkusen, Hanover ’97 e Volfsburg.

Ndërkohë pas lënies së karrierës si futbollist ka nisur atë si trajner, madje për dy sezone ka punuar edhe si drejtor sportiv në Bjellorusi e Uzbekistan. Tre vite më parë ka drejtuar për disa muaj Shkëndinë e Tetovës, ndërsa në vijim mund të jetë trajner i Vllaznisë.

Drejtuesit e rinj të saj e presin sonte ose nesër që Brdariç të mbërrijë në vendin tonë dhe të bisedojnë për të tentuar gjetjen e akordit që ai të jetë njeriu që do ta drejtojë këtë skuadër në sezonin e ri. Premisat janë që të ndodhë kështu, megjithatë duhet pritur deri tek zyrtarizimi.
www.shkodrasport.com