Sezoni i dështuar te Milani dhe problemet e brendshme në kupolën drejtuese të kuqezinjve mund të çojnë në largimin e dyshes Maldini-Boban në fund të sezonit.

Duket se shefi ekzekutiv i klubit italian Ivan Gazidis ka marrë mbështetjen totale të presidentit Eliot dhe nesër do të mbajë një takim me Bobanin dhe Maldinin për të kuptuar nëse mund të gjendet zgjidhje për të sheshuar problemet, por kjo duket e pamundur.

“Corriere dello Sport” zbulon se Gazidis ka në plan t’i ofrojë një post drejtues ish-trajnerit legjendar italian Fabio Kapelo te Milani. Kapelo do të shërbejë si nyje e sektorit teknik, ekipit dhe menaxhimit.

Italiani është një emër i dashur te Milani pasi aty grumbulloi sukseset më të mëdha të karrierës si trajner 4 kampionate dhe 1 Ligë të Kampioneve në vitet 1991-1996.