Manchester United ka filluar me kohë edhe piketimin e trajnerëve për të marrë drejtimin e”djajve” sezonin e ri. Paraqitjet e skuadrës së manchesterit nuk janë të kënaqshme dhe në këtë mënyrë, drejtuesit janë hedhur në sulm për të gjetur edhe “timonierin” e ri të skuadrës.
Edhe pse është përfolur shumë se Mauricio Pochettino i PSG-së dhe Erik ten Hag i Ajax mund të jenë të duhurit për stolin e United, përsëri asgjë konkrete. Në këto kushte drejtuesit nuk duan të qëndrojnë “duar kryq” dhe kanë menduar t’i rrëmbejnë Armando Brojës, trajnerin Ralph Hasenhuttl.
Rezultatet mbreslënëse të arrituar në krye të Southampton kanë bërë që tekniku i “shenjtorëve” të përfundojë në radarët e Manchester United.
Sipas “The Mirror”, Hasenhuttl thuhet se është një emër që ata janë të përgatitur të marrin në konsideratë nëse nuk arrijnë njërën nga zgjedhjet e tyre të para.
Ashtu si Pochettino, Hasenhuttl ka krijuar një reputacion në rritje për veten e tij në Southampton dhe ka tërhequr vëmendjen e disa skuadrave kryesore kontinentale përveç Djajve të Kuq.