Nga Endri ÇINARI

Një lajm i bujshëm vjen nga Greqia në këtë fund merkatoje. Elton Fikaj, djaloshi shkodran, por i lindur dhe rritur në Athinë mund të transferohet në Spanjë. 18-vjeçari i cili është aktivizuar që tek moshat me ekipin e Panathinaikos dhe tashmë është pjesë e skuadrës së njohur greke mund të bëjë një hap tjetër në karrierën e tij.

Kjo pasi sipas mediave sportive në vendin fqinj, interes konkret për të ka shfaqur skuadra e Cadiz. Ekipi i njohur spanjoll, që këtë sezon militon në La Liga 2 duket se kërkon ta ketë Fikajn në organikë. Por konkurenca për të marrë shërbimet e mëngjërashit nuk do jetë aspak e lehtë. Sepse edhe disa ekipe nga Seria A dhe B në Itali po bëjnë sondazhe për shkodranin.

Fikaj, vetëm 18 vjeç mund të mbulojë disa pozicione në fushën e lojës. Ku përveç atij kryesorit si mbrojtës i majtë, ai mund të aktivizohet edhe si mbrojtës qëndror apo edhd mesfushor. Duket qenë në këtë lloj mënyre një lojtar polivalent i cili mund të mbulojë disa pozicione. Fakt që e bën një lojtar të lakmueshëm në tregun e futbollistëve.

Në Greqi ai është vlerësuar si një nga talentet më të mirë në vend. Ku në të shkuarën edhe kombëtarer greke të moshave kanë këmbëngulur për 18-vjeçarin. I cili ka refuzuar gjithmonë ftesën e helenëve duke zgjedhur të përfaqësojë kombëtaren shqiptare. Me të cilën është aktivizuar që nga moshat u-15 e deri më sot ku ka qenë edhe pjesë e kombëtares u-21 të kuqezinjve./www.shkodrasport.com/