Dushan Vlahoviç ishte shumë pranë lamtumirës nga Juventusi në merkaton e janarit. Për këtë janë të bindur në Spanjë, ku e shohin të ardhmen e serbit larg bardhezinjve në fund të këtij sezoni.

E përditshmja spanjolle “AS” ka mësuar se lojtari që po ndjek me ngulm Real Madrid, ishte shumë pranë largimit nga bardhezinjtë që në janar në fakt. Jo drejt madrilenëve, por drejt një klubi të Premier Ligës.

Gazeta spanjolle shpjegon se Juventusi kishte qenë në negociata me një klub elitar, me shumë mundësi Mançester Junajtid, për të vazhduar karrierën atje, në këmbim të pagesës së një shifre prej 100-120 milionë eurosh që do të shkonin në arkat e italianëve.

Por në momentin e fundit, ishte menaxheri i lojtarit ai që vendosi të tërhiqej, për arsye që ende nuk dihen. Gjithsesi, e ardhmja e serbit duket larg Juventusit dhe Italisë me futbollistin që tashmë është në objektivin e klubeve që mund të bëjnë oferta të parefuzueshme për të, si Mançester Junajtid apo edhe vetë Real Madrid që po kërkon një pasardhës të Benzema.