Një lajm i bujshëm vjen pak ditë pas festës së madhe të Partizanit, Skënder Gega nuk është më trajneri i të kuqve. Duket se bashkëpunimi mes palëve ka zgjatur vetëm në sezonin që sapo mbyll dhe është vendosur që të mos rinovohet për në vazhdim.

Kontrata e Gegës me të kuqtë ishte fillimisht 6 mujore e pastaj u rinovua në janar që ai të vazhdonte deri në fund të sezonit punën e shkëlqyer me të kuqtë të cilët kishin krijuar distancë nga ndjekësit dhe po ecnin drejt titullit kampion.

Ndonëse Partizani u shpall kampion prej disa javësh, rinovimi mes tyre vonoi dhe të dy palët “dribluan” disi pyetjet për rinovimin edhe pse në fakt drejtuesit e klubit deklaruan se ata ishin gati të blindonin teknikun me një marrëveshje afatgjatë.

Por në bisedimet e fundit mes dy palëve, është vendosur që marrëveshja të mos vazhdohet pasi Gega ka cituar arsye personale që e shtynin të largohej, me klubin që e ka mirëkuptuar në këtë aspekt.

Pritet që palët të dalin në ditët në vijim të flasin publikisht për këtë vendim të papritur që vjen si një rrufe në qiell të hapur në klubin e kuq pak ditë pas festës madhështore të titullit të shumëpritur. /vipsport/