Partizani ka vendosur të emërojë përsëri Skënder Gegën në postin e trajnerit, për të mbyllur këtë sezon në një periudhë kur po vihet në rrezik çdo objektiv i klubit të kuq.

Eksperimenti me Arbër Abilaliajn si trajner dështoi, pasi skuadra pak nga pak po rrëshqet në renditje dhe ka vënë në dyshim praninë në “Final 4”. Kësisoj, klubi ka kthyer sytë nga një trajner i cili e njeh shumë mirë ambientin te “demat” dhe për më tepër, di si fitohet me ta.

Gega drejtoi Partizanin në sezonin 2018-2019, duke ndërtuar skuadrën e cila ktheu pas shumë vitesh “demat” te titulli kampion. Ai qëndroi vetëm një sezon në drejtimin e ekipit, duke u ndarë jo pa polemika. Dhe ndonëse është përmendur shpesh emri i tij në klub, deri më sot palët kishin qëndruar larg njëra-tjetrës.

Por në këtë moment krize duket se trajneri ka vendosur të lërë pas problemet e të kaluarës me drejtuesit dhe ka pranuar ftesën që i ka bërë klubi i kuq, duke u vënë në drejtimin e skuadrës. Gega pritet të marrë drejtimin që në ndeshjen ndaj Laçit, që është shumë vendimtare për ecurinë e mëtejshme të skuadrës në këtë sezon, ku objektivi minimal është prania në “Final 4” dhe pjesëmarrja në Europë.