Projekti i rinimit të kombëtares dhe përgatitjes së brezit të së ardhmes vazhdon me risitë në grumbullimet e kuqezinjve. Trajenri Edi Reja, pas Ramen Çepeles, ka ftuar një tjetër lojtar i cili ka luajtur me përfaqësueset e moshave të Italisë. Këtë herë bëhet fjalë për nëj lojtar që Italia ia kishte vjedhur Shqipërisë, me kuptimin e plotë të fjalës.
Marko Molla, portieri i talentuar 18-vjeçar i Bolonjës, do të jetë risia në listën e kuqezinjve për ndeshjet e tetorit. Djaloshi ka pranuar të veshë përsëri fanellën kuqezi, të cilën e braktisi dy vite më parë kur në mënyrë të papritur u largua nga grumbullimi i U17, për t’iu bashkuar kombëtares italiane të kësaj grupmoshe.
Ai arriti të luante me Italinë edhe në Botërorin e kësaj grupmoshe duke bërë paraqitje shumë pozitive atje dhe mendohej se përfundimisht kishte zgjedhur të vishte fanellën e kaltër.
Por ashtu si me Çepelen, ndërhyrja e trajnerit Edi Reja dhe kontaktet direkte me të, jo vetëm nëpërmjet përfaqësuesve të FSHF-së, kanë bërë diferencën dhe Molla ka pranuar të vishet kuqezi, kuptohet duke kapërcyer shkallët për të shkuar direkt në gurmbullimin e përfaqësueses A.
Një tjetër risi për kuqezinjtë, por edhe një garanci më shumë për të ardhmen pasi në Itali e shohin shumë pozitivisht portierin shqiptar, me të ardhme të sigurt në kampionatin elitar të këtij vendi. /vipsport/