Ndër 14 futbollistë (11 titullarët dhe 3 rezeravat) që janë aktivizuar sot me Shqipërinë U-17 në ndeshjen kualifikuese të Europianit të kësaj moshe kundër kombëtares italiane, plot 7 prej tyre janë me origjinë nga Shkodra. Ky është padyshim një lajm i bujshëm për këtë qytet, i cili duhet padyshim të krenohet me këtë brez të rinj lojtarësh që po rriten dhe që po i shërbejnë kombit të tyre. Nga shtatë lojtarët e aktivizuar sot, dy prej tyre janë pjesë e ekipit U-17 të Akademisë Vllaznia, pikërisht mbrojtësit Enes Isufi dhe Elmir Lekaj ndërsa pesë të tjerët luajnë në ekipe të ndryshme në Itali.

Kështu, Erald Lakti luan si mesfushor tek Fiorentina, Erdis Kraja tek Atalanta si sulmues ndërsa Marash Kumbulla, Franc Pjetri dhe Serxhio Kalaj luajnë me Akademitë e Veronas, Udinezes dhe Romës. Fakti që gjysma e kombëtares sonë që luajti sot ndaj Italisë dhe që humbi me rezultatin e ngushtë 1-0, është me origjinë nga Shkodra, natyrisht që na bën të gjithëve ne të ndihemi mirë. Ky qytet duket se vazhdon të nxjerrë talente të mëdha. Dhe jo vetëm ata që vazhdojnë të jetojnë aty por edhe të tjerë që janë larguar prej vitesh në vende të tjera, kryesisht në Itali, po rriten të suksesshme por gjithnjë krenar për të përfaqësuar Shkodrën dhe Shqipërinë.

© shkodrasport.com