Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani theskon se ndeshja e kualifikueseve të Kupës së Botës në futboll mes Kosovës dhe Spanjës mund të luhet në Shqipëri. E gjithë kjo situatë vjen për faktin e mosnjohjes së Kosovës nga shteti i Spanjës.
Hasani bën me dije se të gjitha Federatat e Koosvës njihen nga homologët e vendeve të huaja, ndërsa kanë të drejtën që të trajtohen në mënyrë të barabartë. Ndeshja mes Kosovës dhe Spanjës luhet në 8 shtator 2021.
“Komiteti Olimpik i Kosovës është i njohur në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar më të drejta të plota dhe të gjitha federatat sportive janë të njohura nga federatat përkatëse ndërkombëtare që nënkupton që ne jemi të barabartë sikurse edhe të gjithë anëtarët e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar por edhe federatave ndërkombëtare, në këtë rast edhe UEFA-së dhe FIFA-së. Dhe absolutisht kemi të drejtë të trajtohemi të barabartë sa i përket pjesëmarrjes, udhëtimit, vizave, por edhe simboleve që i ka një shtet, flamuri, himni dhe kështu me radhë.
Kështu që në këtë drejtim, jam optimist që ky pluhur i ngritur lartë do të bie gradualisht poshtë dhe do të vijnë të gjitha këto kombëtare për të luajtur këtu në Kosovë dhe ne do të udhëtojmë dhe të zhvillohen lojërat dhe në vende të tjera, përndryshe, siç e thash pasojat munden me qenë shumë të mëdha për këto shtete, respektivisht për këto federata.
Ndeshja me Spanjën? Kosova duhet të insistojë që garat të mbahen në vendin tonë, në Kosovë, jo në ndonjë vend tjetër, qoftë edhe në Shqipëri, që do të ishte ndoshta një variant më i pranueshëm, mirëpo kjo duhet të insistohet në institucionet më të larta, që të mos lëshohet pe.
Këto janë njëherë vetëm skenarë të mundshëm por unë besoj që edhe ne si Komitet Olimpik por edhe Federata e Futbollit në bashkëpunim edhe me Komitetin Olimpik Ndërkombëtar edhe me UEFA-në dhe FIFA-në që mos të lëshohet pe në këtë drejtim por të insistohet deri në fund që garat të mbahen në Kosovë dhe ne të shkojmë të luajmë në këto vende”, u shpreh Besim Hasani për Kosova Press.
Shanset jane qe nese ndodh keshtu, ndeshja Kosove- Spanje te luhet ne stadiumin “Loro Boriçi”, stadium ku ajo ka luajtur edhe me perpara. Por ne fakt edhe Spanja ka luajtur me pare ne Shkoder, pikerisht ndaj kombetares tone.